Shqiptarja.com: Sfidat e Arsimit Profesional

Nga Sidita Dibra e Fatmir Memaj, Shqiptarja.com, 2010

Arsimin Profesional në Shqipëri ka pësuar ndryshime të cilat kanë ndjekur dinamikën e ndryshimeve të ndodhura në Shqipëri që para çlirimit e deri më sot. Por ndryshimi më drastik i këtij sistemi ka filluar i ndikuar nga tranzicioni i pas viteve ’90 ku në sistemin e AP janë ndërmarrë disa nisma të tilla si Ligji i Ri i AFP, Strategjia e Arsimit Profesional, Korniza Kombëtare e Kualifikimeve, krijimi i Bordeve te Shkollës etj. Në bazë të këtyre dokumenteve strategjike, është ridimensionuar dhe roli i aktorëve të shumtë të AP në drejtim të financimit. Në thelb të bashkëpunimit mes këtyre aktorëve, faktikisht nuk qëndron një ndarje e qartë e detyrave dhe përgjegjësive që shpesh ka çuar në ineficencë të sistemit të financimit. Buxheti i shtetit për arsimin në përgjithësi dhe për AP në veçanti është në tregues jo të kënaqshëm, aq sa mund të thuhet që arsimi në Shqipëri është i nënfinancuar (BB, 2006). Kjo nënkupton që nevojat reale për financim të këtij sektori janë shumë më të larta se buxheti i alokuar. Duhet theksuar se buxheti arsimit edhe pse në vlera absolute të rritura, si përqindje ndaj PBB-së ka qenë vazhdimisht më i ulët se mesatarja e vendeve të OECD-së. 
Buxheti për arsimin shënon shifra të ula jo vetëm krahasuar me vendet e OECD-së, por krahasuar dhe me vendet e rajonit të Ballkanit që kanë një mesatare prej rreth 5% e GDP dedikuar arsimit. Duhet theksuar që objektivi i qeverisë për vite me rradhë ka qenë të shpenzojë në buxhetin e arsimit 5% të GDP, por ky objektiv nuk është arritur. Gjithashtu, sipas Raportit të Tregut të Punës dhe Arsimit dhe Trajnimit në Ballkanin Perëndimor (BB, 2007) pagat e të punësuarve me arsim profesional janë më të ulëta se pagat e të punësuarve me arsim të mesëm të përgjithshëm në Shqipëri dhe në Bosnje Herzegovinë dhe pagat e të diplomuarve në arsimin profesional nuk janë statistikisht të ndryshme nga ato të arsimit bazë, ndërkohë që ata me arsim të mesëm fitojnë rreth 10% më shumë. Nëse marrim në konsideratë kostot për njësi të arsimit profesional, këto kosto janë më të larta se ato të arsimit të mesëm. Mesatarisht, qeveria shpenzon tre herë më shumë për një nxënës, për nxënësit në shkollat e mesme profesionale sesa për ato që ndjekin arsimin e mesëm të përgjithshëm. Treguesit bëhen dhe më shqetësues në kuadër të objektivave të qeverisë për rritjen e rregjistrimeve në AP deri në 40% të të regjistruarve në shkollat e mesme.
Shqipëria, si rezultat i buxhetit të ulët për AP vazhdon akoma të jetë e varur nga financimet e huaja të cilat përbëjnë rreth 40% të shpenzimeve për AP. Projekti më i madh për arsimin ka qenë EEEP me një buxhet prej 75 milionë dollarë. Donatorë të ndryshëm kanë kontribuar në sistemin e AP për periudhën 2002–2008 me një grant total prej rreth 29 milionë Euro, ku kontribuesi më i madh është KE me rreth 50%, ndjekur nga Zvicra me 22%, Gjermania me 13%, Italia me 10%, Austria me 4% dhe SHBA me 1%.
Në këto kushte, palët e interesuara për progresin dhe përmirësimin e produktit të sistemit të arsimit profesional publik, duhet t’i mëshojnë faktit se ka nevojë imediate për përmirësimin e sistemit të financimit, përmirësime të cilat duhet të fokusohen në këto drejtime:
Përafrimi i legjislacionit të AP me legjislacionin Evropian, sidomos në probleme të cilat lidhen konkretisht me përafrimin e legjislacionit të financimit të AP, bazuar edhe në eksperiencat e vendeve të cilat janë donatorë aktiv në financimin e AP në Shqipëri.
Qeveria duhet të testojë eksperiencën e universitetit “Alksandër Mojsiu” në Durrës, lidhur me nivelin e suksesshmërisë të Fakultetit të Studimeve Profesionalei cili funksionon në kuadër të këtij universiteti.
Të analizohen kërkesat e tregut dhe të ndërtohet një sistem shkollash profesionale që iu përgjigjet kërkesave të tregut, duke hequr dorë nga financimi i çdo shkolle profesionale vetëm për arsyen e thjeshtë sepse ajo ka ekzistuar tradicionalisht.
Të nis zbatimi i sistemit të bonuseve për ato shkolla që kanë rritje të përqindjes së punësimit të nxënësve të tyre gjatë vitit të parë mbas mbarimit të shkollës. Gjithashtu sistemi i bonuseve duhet të bazohet edhe në akreditimin dhe renditjen e shkollave të sistemit të AP. Një sistem tjetër bonusesh duhet të bazohet në nivelin e tërheqjes së fondeve nga donatorë të ndryshëm dhe sidomos nga bizneset.
Qartësimi i roleve dhe përgjegjësive për financimin e Arsimit Profesional dhe nxitja e bashkëpunimit mes aktorëve të ndryshëm të përfshirë në këtë sistem përmes hartimit të rregulloreve e marrëveshjeve të përbashkëta dhe sigurimin e implementimit të tyre në kuadër të Decentralizimit dhe Dekoncentrimit.
Një pjesë e financimit që vjen nga buxheti i shtetit, për shkollat e AP, të bazohet në treguesit e performancës së tyre. Zgjerimi i gamës së materialeve që ata mund të prokurojnë dhe kufizimi i mallrave që futen në kategorinë “investime” etj. Qartësimi i funksionimit të bazave prodhuese si institucione më vete.
Bizneset, si financues të njohura nga ligji për AP, duhet të nxiten me anë të mënyrave të ndryshme nga shteti për të ndihmuar financiarisht shkollat profesionale si dhe të jenë pjesë integrale e funksionimit të këtyre institucioneve arsimore që në momentin e hartimit të programeve, të realizimit të orëve të praktikës profesionale si dhe përfshirja e tyre në vlerësimin final. Për bizneset që ndihmojnë financiarisht ose, përmes shërbimeve, mund të ketë incentiva fiskale apo, lehtësi të tjera, të cilat do të nxisin këtë përfshirje.
Qeveria të inicojë dhe të financojë fazën e parë të punës për krijimin e një forumi për përmirësimin e nivelit të TIK, në shkollat e AP. Në këtë forum rolin kryesor ta kenë donatorët dhe bizneset duke inicuar dhe realizuar rritjen e informatizimit të këtyre shkollave si dhe lidhjen e të tyre në një rrjet informatik.
Qeveria, duhet të parashikojë prioritetet lidhur me financimin e AP dhe të fokusohet në politika sociale në AP, përmes përmirësimit të infrastrukturës në konviktet ekzistuese të shkollave të AP, për të krijuar kushte më të mira jetese për nxënësit, si dhe të investojë për rritjen e numrit të nxënësve nga zonat rurale dhe numrit të nxënësve nga shtresat në nevojë, përmes sistemit të bursave, sidomos për nxënësit që studjojnë për agronomi, veterinari, etj., incentivat fiskale për bizneset që punësojnë nxënës nga AP, përjashtimi nga taksat për një periudhë të caktuar për të gjithë ata nxënës nga AP që hapin një biznes, etj.

No comments:

Post a Comment