Ernest Koliqi - figure e shquar e arsimit shqiptar


Nga Pjereta Shytani
Ernest Koliqi (20 Maj 1901  1975 ) lindi në Shkodër  në një familje me origjinë nga Dukagjini , e cila  u zhvendos  në krahinën e Anë  Malit, e më pas  në Shirokë të Shkodrës. Djali i Shanit dhe i Age Simonit, u rrit në gjirin e një familjeje  të madhe. Vëllai i tij  Mikel Koliqi do të ishte  i pari kardinal shqiptar i klerit katolik shqiptar .Enest Koliqi është një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë shqipe dhe të kulturës shqiptare , por në vecanti  ai ka luajtur një rol    të jashtëzakonshëm në zhvillimin e arsimit shqiptar dhe në përhapjen e gjuhës shqipe . Ai është themelues i prozës sonë   moderne , por ndërkohë dhe poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar,  dramaturg, por  dhe veprimtar politik, i kulturës së politikës dhe i politikës së kulturës sonë kombëtare, të gjysmës së parë të shekullit XX.

Në vitin 1936  Ernest Koliqi u  emërua  Lektor i Shqipes pranë Universitetit të Padovës . Në vitin 1939  ai u  emërua  titullar i Katedrës së Gjuhës dhe letërsisë Shqipe në Universitetin “La Sapienza” në Romë por nuk ndenji gjatë në këtë detyrë sepse  po këtë vit nisi punën si ministër i arsimit  në qeverinë shqiptare. Sapo  filloi punën në këtë detyrë  , ai mblodhi rreth vetes njerëzit e kulturës, shkrimtarët më të shquar dhe  filloi  përpilimin  dhe  botimin e  teksteve shkollore. Si Ministër i Arsimit  në shtatorin e vitit 1941  ai mundësoi me një vendim që  mbi 200 arsimtarë normalistë dhe të shkollës amerikane të Fullcit, të shkonin   Kosovë,
dhe në  trojet shqiptare në Maqedoni e Mal të ZI, si dhe në Çamëri . Një akt i tillë ka qenë dhe mbetet përjetësisht një nga aktet më sublime  sepse  ai dha frutet e veta në hapjen e shkollave shqipe, në rrënjosjen  e dëshirës për të mësuar shqipen në të gjithë trojet shqiptare. Vepra e tij letrare u ndalua me vendosjen e rregjimit komunist në Shqipëri edhe pse nuk përmbante asnjë lloj  shenje a parashenjë politike, por përmbante vetëm mesazhe atdhedashurie . U ndalua për shkak të veprimtarisë politike të autorit, përkatësisë së tij fetare dhe gjuhës letrare të përdorur. 

Për sa kohë  Koliqi ishte ministër i arsimit u arrit:
·         botimi i historisë së letërsisë, me kritere të shëndosha, në dyvëllimshin “Shkrimtarët shqiptarë”(1941), nën kujdesin e Namik Resulit  e K. Gurakuqit.
·         botimi i të parës antologji në shqip: “Bota shqiptare”(1943).
·         mbledhja e folklorit për të plotësuar veprën “Visaret e kombit” (vëllim me materiale nga folklori ynë)
·         thirrja në Tiranë e Kongresit Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare në vitin 1940 (Instituti i Studimeve Shqiptare me qendër në Tiranë, pararendës i Akademisë së Shkencave).
·         botimi i vëllimeve “Rreze dritë”, “Te pragu i jetës”, “Studime e tekste”.
·         themeloi e drejtoi të përkohshmen “Shkëndija” në korrik të 1940.
·         hapja e shkollave shqipe në Kosovë; hapi edhe një shkollë të mesme në Prishtinë dhe mundësoi dërgimin e studentëve nga Kosova me bursë në Itali dhe Austri.

Shkrimtarët dhe studiuesit e nivelit të Ernest Koliqit janë të rrallë dhe të paktë janë ata prodhimtaria e të cilëve preku pothuaj cdo fushë të letrave shqip si poezia , romani, eseja , përkthimi , gazetaria , madje dhe drama , por  dhe veprimtaria  politike, e cila pati frytet e saj në cdo cep të trojeve shqiptare.

1 comment:

  1. Ti hajdutke mos ndyj emrat e personaliteteve me shkrimet e tua te vjedhura, per te mashtruar te tjeret. Ti nuk mund te jesh as inteligjente as e kulturuar se je ana e pasme e tyre. Ne rrethin e tyre nuk pranohesh por ti sfidon edhe ferrin.

    ReplyDelete