Në vijim të diskutimit për analfabetizmin funksional, XHA-XHAI ne Blogun Peisazhet e Fjales, ofron ide interesante per te adresuar analfabetizimin fuksional. ARSIMTARET e gjen interesante kete analize, dhe e poston per te stimuluar debatin profesional ne kete fushe. PISA 2012 rapotohet me 3 dhjetor dhe tema e analfabetizimit funksional do rimerret. Me poshte gjeni me shkurtime disa nga idete e XHA-XHAIT per analfabetizimin funksional...
Së pari, shtrirja. Për arsye të mirënjohura dhe kryesisht sociologjike, mendoj se kjo “sëmundje” ose “sindromë” ka kapur më shumë popullsinë me prejardhje nga veriu, se atë jugoren; dhe më shumë shqiptarët e Kosovës, se ata të Shqipërisë.
Meqë arsyet i mirënjohura shumë do të m’i keqkuptojnë, po i cek këtu shkurt: masa e madhe e popullsisë që ka jetuar në fshat ose me prejardhje rurale, niveli i ulët i shkollave në Veri (dhe humbja e të paktën dy brezave në Kosovë, për shkak të persekutimit serb dhe luftës), mungesa e qyteteve me traditë në Veri (veç Shkodrës), që të shërbejnë si katalizatorë të alfabetizimit.
Të kemi parasysh se analfabetizmi në Veriun shqiptar i ka rrënjët të thella, që parakrijimit të Shqipërisë; dhe Jugu është zhvilluar më shpejt se Veriu kohë përpara se Jugorët të merrnin pushtetin në 1945; përfshi këtu edhe alfabetizimin, leximtarinë, urbanizimin, numrin e shkollave dhe të faqeve të botuara, etj.
Tani, kjo përhapje e pabarabartë e një dukurie në thelb sociale, që lidhet me zhvillimin në përgjithësi, mund të shërbejë si pikënisje për ndërtimin e politikave të ndërhyrjes.
Mirëpo çfarë ndodh në fakt? Ndodh që njerëzit, opinioni publik, të ndikuar edhe nga oportunistët dhe manipulatorët gjithfarësh, ta shfrytëzojnë këtë pabarazi zhvillimi për të çuar përpara projektet e tyre të zemrës.
Një nga këto projekte është famëkeqi ndryshim i drejtshkrimit të shqipes; për të cilin shpesh dëgjon argumentin se u dashka ndryshuar, meqë kanë ndryshuar edhe raportet e popullsisë dhe është rritur pesha specifike e gegëve në “parlamentin kulturor” të shqiptarëve; dhe këta të fundit kanë probleme me drejtshkrimin “tosk.”
Me një fjalë, një problem social, që i ka rrënjët të thella e të shumëfishta, si analfabetizmi funksional, po duan ta zgjidhin nëpërmjet reformës së drejtshkrimit, ose ndryshimit të standardit, në një nivel tjetër, më subversiv.
Prandaj e kam thënë, dhe e përsërit, se nuk ka reformë të natyrës gjuhësore që do të mund të zgjidhë problemin e analfabetizmit funksional masiv.
Së dyti, nuk e prekëm sa duhet, besoj unë, faktin që analfabetizmi funksional nuk lidhet vetëm me librin; por ka të bëjë me fjalën e shkruar në përgjithësi – dhe sot ndërveprimi me fjalën e shkruar kryhet masivisht në Internet.
Meqë kam shumë vjet që jam i pranishëm në debatet shqip online, kam pasur kohë të konfirmoj bindjen se një pjesë e mirë e atyre që ndërhyjnë për të komentuar, për shkrimet e mia dhe të së tjerëve, nuk i kuptojnë ato që lexojnë; dhe nuk i kuptojnë në nivelin fare elementar, d.m.th. u mungojnë presupozimet bazë, pa të cilat komunikimi s’mund të ndodhë.
Natyrisht, gjithnjë gjen mendje brilante mes brezave, të rinj dhe të vjetër; por këto mendje nuk ngrenë peshë kur është fjala për të vlerësuar brezin vetë.
Nuk mund të ndodhte ndryshe – po të kemi parasysh si kanë funksionuar shkollat këto 20 vjetët e fundit, në Shqipëri dhe në Kosovë.
Nëse shkolla nën totalitarizëm i vinte theksin disiplinës dhe konformizmit, kjo e tanishmja ushqen idenë e çuditshme se mund të jesh i lirë edhe me kokën bosh.
Për më tepër, krejt mjedisi social dhe kulturor nuk e ushqen më virtytin e të qenit i mësuar, ose “i kënduar”; mësuesi është në shkallaret e fundit të hierarkive të statusit, të cilat dominohen nga të fortët, parallinjtë, maksi-koketat, ekzibicionistët, prostitutat gjigante, shoferët e makinave sportive, mafiozët dhe karagjozët gjithfarësh. Në rrethanat kur shqiptarët i kanë hyrë seriozisht kësaj rat race për t’u pasuruar, shkronja nuk luan më kurrfarë roli – aq më tepër që tani edhe diplomën mund ta marrësh vetëm duke vënë dorën në portofol.
Alfabetizimi funksional i duhet doemos politikës – sepse edhe propaganda kërkon njerëz që të kuptojnë se për çfarë flitet; dhe në këtë kontekst, të lë gojëhapur ideja e Berishës për të ulur moshën e votimit, ose për të përfshirë në procesin elektoral një numër edhe më të mëdhenj analfabetësh funksionalë, ose qytetarësh që nuk janë në gjendje të kuptojnë mirë tekstet, as të shprehen në mënyrë të artikuluar.
Së treti, sot brezi i ri komunikon me ndërmjetësinë e Internetit – prandaj edhe shkalla e alfabetizimit duhet matur, para së gjithash, me nivelin e komunikimit në linjë.
Interneti vërtet është i mbështetur në tekstin e shkruar, por në vetvete nuk nxit ndonjë kulturë refleksive, as të menduarit kritik: mjaft të shohësh se ç’bëjnë shumica e përdoruesve në FB, si e kalojnë kohën, çfarë i thonë njëri-tjetrit, ç’mesazhe lëshojnë e marrin.
Sot për sot, shkëmbimi i informacionit në Internet organizohet rreth motorëve të kërkimit; dhe të jesh i alfabetizuar në këtë kontekst do të thotë edhe të dish të përdorësh Google për të kërkuar atë që dëshiron.
Motori i kërkimit ka diçka prej personazhi përralle – ti e pyet për diçka dhe ai ta thotë; kurrë nuk të lë pa përgjigje, kurrë nuk qesh me pyetjen që ia bën, kurrë nuk tallet me ty, kurrë nuk të thotë që ke nevojë të kthehesh në shkollë ose të hapësh një libër. Është një “xhind” i mrekullueshëm, të cilin e thërret sa herë të duash duke fërkuar llampën – laptopin ose telefonin inteligjent.
Kjo afërsi që krijojmë me motorin, na bën edhe që t’ia tregojmë, pa drojtje, fytyrën – si të ishte mentori ynë, mjeku, psikanalisti, tutori, prifti rrëfyes, guru-ja.
Dhe studimi këtyre fjalëkyçeve që i mbledh me durim WordPress-i meriton të kryhet më vete – meqë janë minierë e pyetjeve që mundojnë të rinjtë, sepse të rinjtë janë përdoruesit kryesorë të kompjuterëve; dhe brezi i ri po mësohet që ta zëvendësojë kujtesën mekanike me aftësinë për të përdorur një motor kërkimi.
Njeriu dhe motori shkrihen kështu në një sistem të vetëm; dhe kjo vlen si për punë, ashtu edhe për kohën e lirë dhe për socializim.
Në këtë mes, motori sjell muskujt ndërsa njeriu nervin; prandaj alfabetizimi kompjuterik (computer literacy) na shërben neve si shoqëri më shumë edhe se ç’u shërben kompanive që fitojnë kur ne blejmë kompjuterë dhe i përdorim.
Madje kjo vlen edhe atëherë kur, po të gjykosh nga çfarë kam unë përpara tani, termat e kërkimit i imponon Interneti vetë, që si çdo tjetër treg për të qenë, e gjeneron vetë kërkesën, sipas ofertës që disponon.
Këtu kemi një mister të madh – sepse brezi im u është qasur kompjuterëve i alfabetizuar në mënyrë tradicionale – me penë dhe letër; ndërsa i riu ndonjëherë nuk arrin as të shkruajë me dorë. Prandaj nuk mund t’i kuptojmë analfabetët funksionalë duke ekstrapoluar, ose duke e vënë veten në vendin e tyre.
Përkundrazi, unë kam frikë se po ndodh një kthim i oralitetit (with a vengeance); por i një oraliteti të gjymtuar, grotesk, në trajta njeri-makinë; i një cyber-oraliteti, ku qytetarët nuk funksionojnë dot jashtë simbiozës me Internetin, ose jashtë lidhshmërisë në përgjithësi.
Nga profesorët e Akademisë në Tiranë, unë do të kisha pritur që të mblidheshin dhe të reflektonin për këtë mister të madh, për këtë sëmundje – ose kushedi bekim – që ka kapluar brezin e ri të shqiptarëve; në vend që të diskutojnë për ë-të paratheksore dhe për ndryshimet në drejtshkrim në përgjithësi.
No comments:
Post a Comment