Afrimiteti i mësuesit , strategji e rëndësishme e procesit mësimor që ndihmon në arritjen e rezultateve mësimore dhe edukimin e përgjithshëm të nxënësit.

Është pjesë e natyrës  njerëzore , përfshi këtu të rritur e fëmijë, që të jetë e prirur të japë më shumë rezultate kur kryen një aktivitet që i pëlqen. Ky aspekt duhet shfrytëzuar edhe në porcesin mësimor . Sigurisht të  gjithë kemi qenë nxënës dhe si të tillë  , ka qenë e natyrshme të kishim edhe ne mësuesit tanë të preferuar . Shpesh mendoj se pse  i shihnim si të tillë? Ç’i bënte ata të pëlqyer ? Pse lëndën e tyre e mësonim të parën kur përgatiteshim për ditën e nesërme ? Pse ora e tyre e mësimit kalonte gjithmonë shpejt dhe kur binte zilja dukej sikur kishin kaluar vetëm pak minuta dhe jo plot 45 ?
Shkencëtarë të shkencave të edukimit në mënyrë të vazhdueshme e prej vitesh bëjnë kërkime në fushën e edukimit për gjetjen e metodave të reja dhe strategjive të dobishme në mësimdhënie .
Një nga strategjitë më të rëndësishme të përdorura për të rritur ndërverimin ndërmjet mësuesve dhe nxënësve dhe për të ndërtuar një mardhënie pozitive brenda dhe jashtë klase  është edhe afrimiteti . Ky koncept përfshin një proces aktiv  social-komunikues nëpërmjet të cilit,  individët përpiqen t’i bëjnë të tjerët t’i pëlqejnë dhe të ndihen pozitivë ndaj tyre . (Bell & Daly: 1984).    



 Shumë studiues kanë vëzhguar përdorimin e afrimitetit (Dolin,1995) (Myers, 1995) .  Këto studime  arrijnë në përfundimin  se përdorimi i afrimitetit  ndikon pozitivisht në mardhënien mësues nxënës .Provat e këtyre studimeve  tregojnë efektivitetin e afrimitetit në prodhimin e rezultateve pozitive në procesin mësimor . (Wanzer, 1998).                              
Shtrohet pyetja : Si realizohet kjo strategji ?

Shembuj të rritjes së respektit dhe pëlqimit  për mësuesin nga ana e nxënësit  janë  përshtypja e nxënësit e një ndjenje rehatie e komforti në orët e mësimit të mësuesve që janë të afrueshëm ( të relaksuar , spontanë , të cliruar(  Myers, 1995), hapja e vehtes duke përcjellë autonomi të nxënësi , prezantimi i vetes si një  mendimtar i pavarur e mendjehapur , menaxhimi i klasës nëpërmjet bisedave , edukimi i barazisë ( prezantimi i vetes si i barabartë) ,përcjellja e besueshmërisë dhe  bërja e kohës së kaluar sëbashku e pëlqyeshme.   ( Myers, 1995).
Afrimiteti shoqërohet me motivimin e nxënësit ,klimën e klasës, (Myers, 1995),karakterin dhe aftesine e mësuesit ,dhe pëlqimin e lëndës.
Rezultatet e këtyre studimeve tregojnë se mësuesit mund të kenë një llojshmëri të gjerë të strategjive të tyre për të arritur afrimitet me nxënësin të cilat mund t’i zgjedhin në përshtatje me krakteristikat e klasës dhe  ambjentit  por gjithashtu edhe të personalitetit e karakteristikave individuale të nxenësve .
Kjo është ajo që na ofron teoria .

  Le të merremi pak me realitetin e shkollave tona . A kemi ne mësues të cilët e përdorin afrimitetin si startegji në mësimdhënie ? Shumë pak . Ndoshta është përgjigje e trishtë , por është e vërtetë . Në shkollat tona ka patur dhe ka  probleme të rënda të komunikimit ndërmjet mësuesve dhe nxënësve. Pjesa më e madhe e mësuesve i konsiderojnë nxënësit si inferiorë. Ata nuk e kuptojnë që mësuesit dhe nxënësit janë partnerë me të drejta plotësisht të barabarta në procesin mësimor , por detyrat i kanë të ndryshme. Kjo do të thotë  që në qoftë se nuk ekziston respekt  reciprok dhe ndërveprim i suksesshëm , procesi dështon.  Rolin kryesor në këtë ndërveprim e kryen mësuesi , jo sepse di më shumë se nxënësi ( ndodh nganjëherë  fatkeqsisht që mësuesit të dinë më pak se nxënësit ) por sepse mësuesit kanë jetuar më gjatë  dhe kanë më shumë eksperiencë jetësore e pjekuri se nxënësit ( të paktën kështu duhet të jetë) . Ndoshta ky duket një përcaktim shumë i ashpër karshi mësuesve , por është kështu dhe këtë ua thotë një mësuese me eksperiencë disavjeçare.
Imagjinoni një mësues arrogant , të paafrueshëm , deri edhe të pasjellshëm . A do ta mësonin me dëshirë nxënësit lëndën e tij ?  A do të përpiqeshin me të gjitha forcat që të bënin më të mirën e mundshme në një detyrë të caktuar prej tij? Sigurisht që jo. Nxënësit edhe mund të përpiqeshin , por  do ta bënin pa dëshirë , do të ishin të pamotivuar dhe kjo do të hidhte poshtë katërcipërisht rolin e mësuesit në mësimdhënie, sepse ai është aty , për të lehtësuar punën e nxënësit përgjatë procesit dhe jo për ta bërë më të vështirë.

Nel Noddings , një nga studiueset e  rëndësishme të fushës së edukimit , aktualisht profesoreshë e edukimit në Universitetin e Stenfordit argumenton se:  

‘’Ne duhet të kërkojmë më shumë se arritjet e menjëhershme akademike nga edukatorët tanë…dhe  nuk do të arrijmë as këtë  lloj suksesi kaq të vogël  nqs nxënësit , fëmijët tanë , nuk do të besojnë vërtet se ka edukatorë   që i duan e kujdesen për ta dhe nqs nuk do të mësojnë që edhe ata vetë, të kujdesen për të tjeret.’’( Noddings :1995 ) .

Ajo  quan ‘’sukses të vogël’’ arritjet akademike të menjëhershme krahasuar me suksesin e të mësuarit të kujdesit për njëri -tjetrin  Ajo vazhdon argumentimin e saj se të gjesh kohën për të zhvilluar mardhënie pozitive me nxënësit , të flasësh me ta për problemet që i shqetësojnë , t’i udhëheqim ata drejt ndjeshmërisë dhe aftësimit janë aktivitete shumë të rëndësishme mësimore. Keto lloj lidhjesh janë të rëndësishme sepse ato inkurajojnë të mësuarit , gjë që mund të mos arrihet me mënyra të tjera.
Të tillë duhet të jenë mësuesit  tanë .

Natyrisht ekziston edhe një anë tjetër e medaljes. Mësuesit tanë kanë shumë  vështirësi në mësimdhënie, Kjo kryesisht  për shkak të numrit të madh të nxënësve nëpër klasa dhe infrastrukturës së kufizuar , por asnjëra prej tyre nuk  justifikon ose përligj një sjellje jokorrekte me nxënësit. 

Si  përfundim , afrimiteti i treguar ndaj nxënësve tanë patjetër që ndikon jo vetëm në suksesin e procesit mësimor , por edhe në edukimin e tyre të përgjithshëm . Ata janë e ardhmja , janë ministrat që do të na drejtojnë nesër, janë mjekët që do të kujdesen me përkushtim për jeten e njeriut, janë  mësuesit që do të edukojnë brezat që do të vijnë , janë shkencëtarët që do të realizojnë shpikje të reja në shërbim të njerëzimit, janë shkrimtarët që do të pasurojnë botën tonë shpirtërore e filozofët që do të sjellin risi në mënyrën tonë të të menduarit, prandaj  Kujdes !!!

Nga MA. Pjereta Shytani


Bibliografi:

Bell, R. A.,&Daly, J.A. (1984). The affinity-seeking function of communication. Communication Monographs, 51, fq 91–115.
Dolin, D. J. (1995). An alternative form of teacher affinity-seeking measure. Communication
Research Reports, 12,  fq 220–226.

Myers, S. A. (1995). Student perceptions of teacher-affinity-seeking and classroom climate.
Communication Research Reports, 12, 192–199.

Noddings, N. (1995). Teaching themes of care. Phi Delta Kappan,76, fq 675–679.

Wanzer, M. B. (1998). An exploratory investigation of student and teacher perceptions
of student-generated affinity-seeking behaviors. Communication Education,
47, fq 373–382.



No comments:

Post a Comment